Champions League/ Sot 6 përballje të tjera, Liverpool sfidon Atleticon

Nga Dea Kozma
9 Shtator 2026, 13:36 | Futboll

Champions League/ Sot 6 përballje të tjera, Liverpool sfidon Atleticon

Sot do të luhen 6 takime të tjera në Champions League, ku spektakli është i garantuar.

Skenën e merr supersfida Liverpool-Atlético Madrid në “Anfield”, padyshim një nga sfidat më të forta të mbrëmjes, shkruan A2.

Ky do të jetë edhe debutimi i trajnerit Andoni Iraola në Champions me Liverpool. Përballë tij është Diego Simeone, një trajner që e njeh shumë mirë futbollin anglez dhe atmosferën e Anfield, shkruan A2.

Liverpool ka një histori të veçantë me Atlético në Europë, ndërsa kjo përballje rikthen kujtimet e dueleve spektakolare mes dy skuadrave.

Sfida nis në orën 21:00.

Barcelona e nis Champions League në shtëpi ndaj Feyenoordit, në orën 18:45. Katalanasit rikthehen në Europë me synimin për të qenë sërish protagonistë, ndërsa Feyenoord kërkon një surprizë në Camp Nou. Barcelona ka avantazhin e historisë në përballjet direkte dhe luan në një stadium ku presioni i publikut pritet të jetë një faktor i rëndësishëm.

Për katalanasit, objektivi është i qartë: nisje me fitore në fazën e ligës.

Kampioni në fuqi i Europës, Paris Saint-Germain, nis mbrojtjen e trofeut përballë Slovan Bratislavës në Parc des Princes. PSG kërkon të shkruajë histori, pasi synon të bëhet vetëm klubi i katërt që fiton Champions League tre herë radhazi. Përballë Slovanit, skuadra e Luis Enrique është favorite e qartë në letër.

Sfida luhet në orën 21:00, në Paris.

Një nga duelet më interesante të mbrëmjes vjen nga Italia: Napoli pret Arsenalin në stadiumin "Diego Armando Maradona". Dy skuadrat kanë histori europiane mes tyre dhe tashmë përballen sërish në një ndeshje që pritet të jetë shumë e luftuar.

Napoli do të mbështetet te faktori fushë, ndërsa Arsenali kërkon të nisë aventurën europiane me një rezultat pozitiv. Të dy klubet kanë ambicie të mëdha këtë sezon dhe kjo përballje mund të jetë një nga testet më të rëndësishme të javës së parë.

Sporting dhe Galatasaray përballen për herë të parë në një ndeshje të Champions League. Sfida në Lisbonë pritet të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme, duke qenë se të dyja skuadrat njihen për tifozë shumë të zjarrtë. Sporting ka pasur rezultate të mira ndaj ekipeve turke në vitet e fundit, ndërsa Galatasaray kërkon të thyejë këtë statistikë.Ndeshja nis në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos