Mourinho i kënaqur me fitoren; Chivu: Meritonim më shumë

Nga Dea Kozma
9 Shtator 2026, 13:31 | Futboll

Pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Interit, Jose Mourinho u ndal te paraqitja e skuadrës së tij, ndërsa Cristian Chivu doli në mbrojtje të lojës së zikaltërve.

Mourinho pranoi se Reali nuk e pati gjithmonë kontrollin e ndeshjes, por theksoi se në Champions League ajo që vlen mbi të gjitha është fitorja.

Një tjetër moment interesant ishte mbështetja për Vinicius, i cili u vërshëllye nga një pjesë e tifozëve në momentin e zëvendësimit. “The Special One” e mbrojti brazilianin, duke vlerësuar përkushtimin e tij në fushë, shkruan A2.

Në krahun tjetër, Chivu nuk e fshehu zhgënjimin. Trajneri i Interit e konsideroi të pamerituar rezultatin, duke vlerësuar faktin që skuadra e tij pati personalitet, mbajti topin dhe krijoi shumë raste në Bernabéu.  

Chivu pranoi gabimet që sollën golat e Realit, por u shpreh i kënaqur me mënyrën se si reagoi skuadra.

“Nuk erdhëm këtu për të spekuluar, por për të bërë ndeshjen tonë”, ishte mesazhi i trajnerit zikaltër, i cili beson se Interi do të përmirësojë efikasitetin përpara portës.

Chivu u largua nga Madridi me bindjen se Interi tregoi se mund të përballet pa frikë edhe me një nga favoritët e Champions-it. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos