
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë që në orët e para të ditës zonën e Bagos në Kavajë, ku disa vatra janë riaktivizuar në pika të ndryshme. Forcat zjarrfikëse të Kavajës ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve.
Situata është paraqitur shqetësuese pranë dy banesave, por ndërhyrja e zjarrfikësve ka shmangur deri tani rrezikun e drejtpërdrejtë për to, shkruan A2 CNN. Zjarri vijon të jetë aktiv në disa zona, ndërsa puna për shuarjen vështirësohet nga sipërfaqja e madhe e përfshirë dhe terreni i thyer, i cili pengon futjen e mjeteve zjarrfikëse.
Për këtë arsye, specialisti i Emergjencave Civile, Fatbardh Bushi, ka kërkuar ndërhyrjen e një helikopteri për shuarjen e flakëve nga ajri. Forcat në terren vijojnë punën për mbajtjen e situatës nën kontroll, izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave pranë zonës së zjarrit.
(A2 Televizion)