
Ballkani nuk arriti të bëjë dot surprizën e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”, teksa u mposht 2-1 nga Astana.
Pjesa e parë nisi më vrullshëm për miqtë, që provuan me goditje të njëpasnjëshme. Në minutën e shtatë, ishte Jovançiç që ndëshkoi portierin Koliçin me një goditje brenda zonës. Megjithatë, skuadra e Ilir Dajës nuk u dorëzua dhe reagimi ishte i menjëhershëm. Që në aksionin pasardhës, Edvin Kuçi barazoi shifrat dhe rihapi llogaritë në fushë. Mesfushori u tregua i saktë brenda zonës dhe ktheu në gol një harkim perfekt të Kryeziut.
Miqtë kazakë nuk e ulën ritmin dhe u shfaqën më kërkues. Po në pjesën e parë, Astana gjeti sërish golin e avantazhit me Kuat, që goditi saktë me kokë. Edhe pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar e sidomos nga dardanët që bënë çmos për të shënuar, por nuk ia dolën dot.
Për Ballkanin kjo ishte humbja e dytë në Grupin C të Conference League. Aktualisht, Ballkani renditet në vendin e tretë me 3 pikë, po aq sa Dinamo Zagrebit në vendin e dytë dhe Astanën në fund, ndërsa Viktoria Plzen kryeson në 9 pikë të plota pas 3 ndeshjesh.
Edhe Leagia e Varshavës siguroi suksesin e dytë në fazën e grupeve, teksa mposhti 2-1 Zrinjskin. Të dy lojtarët shqiptarë, si Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka, e nisën sfidën si titullar dhe bënë një paraqitje të mirë në fushë. Të parët që gjetën rrjetën ishin vendasit me Bilbija, që zhbllokoi takimin. Megjithatë, pak më vonë, ishte Muçi që goditi fort topin dhe devijohet nga mbrojtësi kundërshtar, duke shkuar brenda kuadratit.
Në fraksionin e dytë, Muçi pretendoi dhe për një penallti, por për gjyqtarin çdo gjë ishte e rregullt, madje ndëshkoi sulmuesin shqiptar për simulim. Skuadra polake, pas shumë tentativash, ia doli që të realizonte sërish, me Kramer që shënoi dhe golin e përmbysjes.
Një sukses mëse i merituar për ekipin e Muçit dhe Çelhakës, që kryeson Grupin E me gjashtë pikë, teksa Zrinjski qëndron në vend të tretë me tri pikë.
Në takimet e tjera, Fiorentina fitoi 6-0 me serbët e Çukariçkit, Bodo mposhti 3-1 turqit e Beshiktash, ndërsa Club Brugge fitoi 3-1 me Luganon. (A2 Televizion)