Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka konfirmuar se protokolli me tre hapa i UEFA-s për sjellje diskriminuese është diskutuar nga lojtarët mes frikës për abuzim racist në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Serbi.
Kane dhe ekipi i tij do të sfidojnë Serbinë në stadiumin “Rajko Mitic” (Marakana), ku kapaciteti është zvogëluar me 15 përqind për shkak të sjelljes së mëparshme raciste të tifozëve vendas.
FIFA ndëshkoi Shoqatën e Futbollit të Serbisë (FSS) për "diskriminim dhe abuzim racist" në një ndeshje kundër Andorrës në qershor.
Pas incidentit të fundit në një seri të gjatë incidentesh të pakëndshme, FSS u ka kërkuar tifozëve serbë të "mbështesin ekipin kombëtar në mënyrën e duhur" kundër Anglisë, e cila u përball me abuzim racist në udhëtimet e saj të vitit 2019 në Ballkan, më konkretisht në Mal të Zi dhe Bullgari. Kane ishte gjithashtu kapiteni i “Tre Luanëve” gjatë këtyre incidenteve në Podgoricë dhe Sofje.
Sulmuesi i Bayern Munich tha në konferencën për mediat se lojtarët e Anglisë kanë folur për protokollet e UEFA-s dhe janë të gatshëm të largohen nga fusha nëse është e nevojshme.
“Patëm një takim dhe diskutuam protokollet nga pikëpamja e UEFA-s. Nuk mendoj se na pëlqen ta diskutojmë shumë. Fokusi ynë është te loja. Fokusi ynë është të përpiqemi ta mposhtim Serbinë në fushë”, u tha ai gazetarëve të hënën.
"Gjithçka mund të ndodhë, sigurisht, dhe ne jemi të përgatitur për këtë, por në fund të fundit nuk po mendojmë për këtë. Po mendojmë për futbollin, lojën, siç e tha Federata e Futbollit të Serbisë, ka të bëjë me respektin, shijimin e lojës dhe shpresojmë që të jetë kështu", theksoi kapiteni i Anglisë.
I pyetur nëse ishte i gatshëm t'i nxirrte lojtarët nga fusha në shenjë proteste ndaj çdo abuzimi racist, Kane tha: "Jemi të përgatitur të bëjmë atë që protokollet e UEFA-s na lejojnë të bëjmë”.
"Mendova se e trajtuam atë situatë shumë mirë në Bullgari. Dhe nuk do të jetë ndryshe. Këto janë gjërat për të cilat është e vështirë të flitet tani, sepse nuk e dimë nëse do të ndodhë apo jo. Por në fund të fundit, siç thashë, ne jemi të përgatitur. Ne patëm një diskutim si grup në mënyrë që nëse ndodh diçka e tillë, të jemi të përgatitur të bëjmë atë që është e nevojshme”, shtoi ai. (A2 Televizion)