Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka folur sot para mediave në prag të ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë, një sfidë që pritet të jetë vendimtare për ecurinë e kuqezinjve në rrugën drejt Botërorit 2026.
Qendërmbrojtësi theksoi se ekipi është përgatitur maksimalisht dhe se presioni do të shërbejë si motivim shtesë. “Sigurisht që ekipi është përgatitur mirë, kemi pasur kohë dhe jemi pozitivë. Nuk do të jetë e lehtë, por përqendrimi është i lartë. Duam tre pikët për të vazhduar rrugëtimin tonë,” tha ai.
Duke u ndalur te përballja e parë ndaj Letonisë, Gjimshiti pranoi se skuadra nuk bëri mirë në atë sfidë, por tani situata është ndryshe. “Atje nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, bëmë gabime, dhe në futbollin e sotëm nuk fitohet më aq lehtë sa dikur. Edhe kombëtaret e mëdha vuajnë, e pamë Holandën që fitoi vetëm 3-2 ndaj Lituanisë. Por nesër besoj se do të jetë ndryshe, sepse kemi ende gjithçka në dorë dhe na duhen patjetër tre pikët,” u shpreh ai.
Kapiteni kuqezi dha një mesazh të qartë për tifozët dhe skuadrën: “Do të japim 100%. Ëndrra jonë është kualifikimi në Botëror, një arritje historike për Shqipërinë. Ashtu siç kemi kaluar dy herë në Europian, tani duam të bëjmë hapin e madh. Nesër do të jemi gati dhe shpresoj që tifozët ta shijojnë këtë përballje.”
I pyetur për motivimin e skuadrës pas miqësores me Gjibraltarin, ku nuk u pa energjia e duhur, Gjimshiti e bëri të qartë se atmosfera është ndryshe. “Kundër Gjibraltarit luajtën disa lojtarë të rinj, ishte një test. Por nesër është një tjetër realitet, motivimi është shumë i lartë dhe ky është shansi më i bukur që kemi për të shkuar në Botëror,” theksoi ai, shkruan A2 CNN.
Në fund, kapiteni pranoi se Letonia mund të luajë më e mbyllur, ndryshe nga Serbia, por theksoi se kuqezinjtë janë gati. “Ata e dinë cilësitë që kanë, është një kundërshtar i vështirë. Duhet të tregojmë cilësi dhe përqendrim për të marrë rezultatin që duam,” përfundoi Gjimshiti. (A2 Televizion)