Manchester United dhe Manchester City ndanë nga një pikë në derbin e javës në Premier League, duke mbyllur sfidën me një barazim pa gola (0-0), për herë të parë që nga dhjetori i vitit 2020.
Skuadra e Pep Guardiolës u përball me një nisje agresive nga United, ku Rúben Dias mori një karton të verdhë pas një faulli ndaj Alejandro Garnacho. Bruno Fernandes provoi me një goditje dënimi, por topi përfundoi në murin mbrojtës. Pas kësaj, City gjeti balancën dhe krijoi disa raste me Phil Foden dhe Omar Marmoush, por ndërhyrjet e Harry Maguire dhe Diogo Dalot mbajtën rezultatin të pandryshuar.
Në pjesën e dytë, City tregoi më shumë dëshirë për të zhbllokuar takimin. Një gjuajtje e Kevin De Bruyne dhe një tjetër nga Marmoush u ndalën nga portieri André Onana. Në anën tjetër, Ederson u detyrua të ndërhynte pas një gjuajtjeje të fortë nga Joshua Zirkzee, ndërsa tentativa pasuese e Mason Mount u bllokua nga Rico Lewis.
Në fund, City mbetet në vendin e pestë, duke e zgjatur serinë pozitive në katër ndeshje pa humbje, por pa arritur të kalojë Chelsean në renditje. Manchester United zë vendin e 13-të dhe po përgatitet për çerekfinalen e Europa League ndaj Lyonit të enjten. (A2 Televizion)