Për herë të parë arbitrimi shqiptar do të drejtohet nga një i huaj. Spanjolli Gonzalez Vazquez është emëruar si drejtori i ri i departamentit të arbitrimit në FSHF. Në një intervistë për A2 CNN, ish-arbitri shqiptar Uvil Zajmi e cilësoi këtë lëvizje si një trampolinë për gjyqtarët shqiptarë drejt niveleve më të larta të futbollit europian.
Eksperiencë spanjolle për arbitrimin shqiptar. Zyrtarizimi i Gonzalez Vazquez si drejtori i ri të Departamentit të Arbitrimit në FSHF, erdhi si një rrufe në qiell të hapur.
Pavarësisht eksperiencës ndërkombëtare të krijuar tashmë prej disa vitesh federata zgjodhi një ish arbitër të huaj për herë të parë në krye të departamentit.
Sipas ish-arbitrit shqiptar, Uvil Zajmit, kjo lëvizje mund të jetë urë lidhëse për gjyqtarët tanë drejt niveleve më të larta të futbollit europian.
Edhe vite më parë , ishte kërkuar vendosja e një ish arbitri të huaj si shef të Departamentit të Arbitrimit, por munguan vetëm detajet finale
Sipas Uvil Zjamit, arbitrat shqiptarë , duke veçuar Juxhin Xhajën, i kanë të gjitha cilësitë për të gjykuar në ndeshjet elitë.
Spanjolli Gonzalez Vazquez zëvendëson në detyrë Sokol Jarecin, që mbyll këtë rrugëtim pas 8 vitesh. Kohët e fundit, federata të ndryshme europiane kanë zgjedhur të angazhojnë ekspertë me eksperiencë ndërkombëtare për drejtimin e departamentit të arbitrimit. (A2 Televizion)