Një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë është përfshirë nga flakët e zjarrit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dielës rreth orës 4 e 5 minuta. Mësohet se zjarri ka nisur në katin e parë të hotelit dhe më pas flakët janë përhapur në fasadën dhe katet e sipërme të godinës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e flakëve. Për shkak të rrezikut, godina është evakuuar. Ndërsa disa pushues janë hedhur nga dritaret dhe ballkoni për t’i shpëtuar flakëve.
Ata tregojnë momentet e tmerrit kur godina u përfshi nga flakët dhe tymi. Si pasojë e zjarrit, 6 persona janë dërguar në spitalin e Vlorës më djegie të rënda dhe trauma në trup për shkak të hedhjes nga lartësia. Pasi kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Vlorës 5 pacientë janë sjellë për trajtim më të specializuar në Tiranë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë 3 prej tyre ndodhen në shërbimin e Djegie-plastikës ku mësohet se dy prej pacienteve janë në gjendje kritike për shkak të djegieve të shumta në trup. Ndërsa dy pushues të tjerë janë dërguar në spitalin e Traumës për shkak të plagëve të shumta që kanë marrë gjatë hedhjes nga lartësia. Mësohet se 5 nga pushuesit e dëmtuar ishin nga Kosova ndërsa një nga Rrësheni.
Nga veprimet hetimore përfshirë dhe këqyrjen e kamerave të sigurisë rezultoi se zjarri ka qenë aksidental. Shkak është bërë djegia e prizës së frigoriferit që ndodhej në ambientet e restorantit. (A2 Televizion)