
Ndërkohë në Rinas është arrestuar me qëllim ekstradimi, 43-vjeçari Bujar Buja, lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam. Ai kërkohet nga autoritetet spanjolle për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa dyshohet se ishte i përfshirë në transportin e kokainës.
“Në Rinas, si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Bujar Buja, 43 vjeç, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë”.
Gjykata Qendrore e Instruksionit (Hetimit) nr. 1, pranë Audiencës Nacionale të Madridit/Spanjë, në korrik 2026, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga Kodi Penal Spanjoll.
Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës, e vendosur kryesisht në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të territorit kombëtar.
Shtetasi Bujar Buja dyshohet se është implikuar në transportin e lëndës narkotike.
(A2 Televizion)