Menjëherë pas vërshëllimës finale të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe, e gjithë Shqipëria u përfshi në festë. Rrugët e kryeqytetit u bllokuan për t’ia lënë vendin tifozëve kuqezi. Pa dallim moshe, gjinie apo krahine, ata u bënë bashkë duke kënduar këngë patriotike, me qeleshen në kokë dhe flamurin kombëtar mbi supe.
Edhe pse një ditë jave dhe temperaturat nuk ishin aspak të favorshme, tifozët kuqezi krijuan një atmosferë elekrizuese që zgjati përgjatë gjithë natës.
Edhe fëmijët ishin pjesë e këtij suksesi, ku mes të tjerash shprehin dëshirën për të parë kombëtaren në Gjermani.
Tifozë nga të gjitha trojet shqiptare dhe që i bashkonte një flamur. Dikush kishte bërë mijëra kilometra rrugë e një tjetër kishte lënë familjen vetëm e vetëm që të festonte me skuadrën kuqezi këtë kualifikim të Shqipërisë në “Euro 2024”.
(A2 Televizion)