Fitore me tre gola ndaj Partizanit, Tirana "rilind" në derbin e kryeqytetit

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 21:23 | Futboll

Fitore me tre gola ndaj Partizanit, Tirana "rilind" në derbin e

Tirana ka dhënë një sinjal të fortë për ringjallje në derbin e kryeqytetit, duke triumfuar me rezultatin e pastër 0-3 ndaj Partizanit, në një përballje emocionuese në stadiumin “Air Albania”.

Takimi nisi me intensitet të lartë, me të dyja skuadrat që synuan që në minutat e para portën. Partizani u shfaq më kërkues në fillim, por nuk arriti të konkretizojë rastet, ndërsa bardheblutë treguan efikasitet maksimal.

Goli i parë i Tiranës erdhi pas një keqkuptimi në mbrojtjen e të kuqve, ku Falaye përfitoi dhe realizoi saktë për të kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Vetëm pak minuta më vonë, Pacacia fitoi një 11-metërsh dhe nuk gaboi nga pika e bardhë, duke dyfishuar shifrat dhe duke vendosur Tiranën në një pozicion komod që në pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë, Partizani u përpoq të reagojë dhe ushtruan presion të vazhdueshëm, por pa efekt. Përkundrazi, ishte Tabeku që vulosi fitoren e Tiranës me golin e tretë, duke mbyllur llogaritë e derbit.

Me këtë fitore të rëndësishme, Tirana ngjitet në kuotën e 5 pikëve, duke lënë pas Partizanin me 4 pikë. Një fitore që mund të shërbejë si pikë kthese për bardheblutë në këtë fillim sezoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos