Flamurtari arrin fitoren e 9-të radhazi, kryeson Kategorinë e Dytë me rekord historik

Nga A2 CNN
31 Tetor 2024, 17:05 | Futboll

Flamurtari arrin fitoren e 9-të radhazi, kryeson Kategorinë e

Flamurtari ka arritur fitoren e 9-të radhazi në po kaq ndeshje të luajtura në këtë sezon të Kategorisë së Dytë të futbollit shqiptar, duke marrë kështu kryesimin, pasi kanë dy pikë më shumë se Vora.

Vlonjatët kanë fituar në frymën e fundit me një gol të shënuar nga Atanda përballë miqve nga Lushnja.

Një ndeshje delikate për vlonjatët që gjithsesi në fund kanë marrë tre pikë me vlera, duke u ngjitur në kuotën e 27 pikëve në krye të tabelës.

Trashi shënoi në pjesën e parë duke dhënë idenë e një fitoreje të lehtë, por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë kur Kacanolli barazoi për Lushnjën.

Megjithatë në minutën e 96-të Atanda shënoi për 2-1 duke i dhënë fitoren Flamurtarit.

Pas ndeshjes trajneri i Flamurtarit, Andrea Agostineli, theksoi se rezultati më i drejtë i kësaj sfide ishte barazimi, por e pranoi se në fund vlejnë tre pikët për kuqezinjtë që pretendojnë kthimin në elitë.

Nga ana tjetër trajneri i Lushnjës është shprehur se ekipi i tij meritonte më shumë në këtë sfidë.

Me triumfin e sotëm, Flamurtari regjistron 9 fitore me radhë duke shkruar historinë sa i përket ndeshjeve të Kategorisë së Dytë shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos