Frikë në Udinese-Roma, Ndicka me problem në zemër shembet në fushë, ndeshja pezullohet

Nga A2 CNN
14 Prill 2024, 21:07 | Futboll

Momente frike në ndeshjen Udinese – Roma, e cila u pezullua nga arbitri në minutën e ’72, pasi mbrojtësi i verdhekuqve Evan Ndicka, i cili vuan nga një sëmundje u shemb në fushë.

Ivoriani u shpëtua nga shokët e tij të skuadrës, me Svilar që kuptoi se çfarë po ndodhte dhe tërhoqi vëmendjen e drejtorit të garës. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë por pa përdorur defribilatorin, pasi lojtari e bëri të qartë se ka ndjerë një dhimbje në gjoks.

I ndërgjegjshëm, ai u nxor me barelë nga fusha nën duartrokitjet e publikut. 24-vjeçari u dërgua në dhomat e zhveshjes ku edhe Daniele De Rossi nxitoi për të kontrolluar gjendjen e tij.

De Rossi, duke u kthyer në fushë nga dhomat e zhveshjes, i bëri të ditur skuadrës së tij se lojtari ishte i vetëdijshëm, por ata nuk pranuan që të vazhdonin të luanin.

Pairetto, pas një komunikimi me kapitenët dhe lojtarët e tjerë në fushë, vendosi të pezullojë përfundimisht ndeshjen në minutën e 72-të. Ndeshja, e cila do të duhet të rikuperohet, do të rifillojë me rezultatin 1-1 dhe mbeten për t’u luajtur edhe 18 minuta lojë.

Mirëkuptim i madh, padyshim, edhe nga Udinese dhe publiku, të cilët i dhanë duartrokitje të forta mbrojtësit dhe shokëve të tij në bilbilin e fundit të ndeshjes.

Roma ndërkohë ka bërë me dije se pas kontrolleve fillestare, lojtari u transportua në spital. Në fakt, elektrokardiogrami ngriti disa dyshime për mundësinë e problemeve me zemrën, duke bërë që stafi mjekësor ta transferonte urgjentisht në spitalin Santa Maria della Misericordia në Udine, por jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos