Futbolli shqiptar do të rinisë më 23 nëntor. Komisioni i Ligave dhe Garave pranë FSHF u mblodh dhe ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve nga java e 13-të e deri në javën e 18-të.
Takimet e javës së 13-të do të luhen të ndara në dy ditë, konkretisht në datat 23 dhe 24 nëntor, duke nisur me sfidën Egnatia–Partizani, që u ndërpre të shtunën e 11 nëntorit për shkak të ndarjes nga jeta të futbollistit, Raphael Dwamena.
Ndeshja që u ndërpre në minutën e 24-t do të vazhdojë pikërisht aty ku u la dhe me po të njëjtit lojtarë në fushë.
Kjo javë e 13-të do të ulë siparin me dy ndeshjet Vllaznia–Laçi dhe Skënderbeu–Teuta që do të luhen në 17:00 më 24 nëntor.
Ndërkaq, ndeshjet e javës së 14-të do të luhen të ndara në dy ditë në datat 27 dhe 28 nëntor, duke nisur me sfidën Erzeni–Tirana, më 27 nëntor në ora 13:30 dhe duke ulur siparin me ndeshjen Teuta–Vllaznia, më 28 nëntor në orën 16:00.
Ndërkohë, faza e dytë e kampionatit ose e thënë ndryshe java e 18-të do të luhet e ndarë në tri ditë, 22, 23 dhe 24 dhjetor.
Takimet, Teuta–Dinamo dhe Vllaznia–Skënderbeu do të hapin javën e 18-të, me të dyja sfidat që do të luhen në orën 17:00. Takimi që do të mbyllë javën e 18-të do të jetë ai mes Partizanit dhe Erzenit që do të zhvillohet më 24 dhjetor në orën 17:00.
Gjithashtu, Komisioni i Ligave dhe Garave ka zyrtarizuar se ndeshja e prapambetur mes Partizanit dhe Teutës do të luhet më datë 7 dhjetor në orën 17:00.
(A2 Televizion)