Kombëtarja shqiptare po vijon intensivisht përgatitjet për ndeshjen me Letoninë. Dueli që ka shumë rëndësi për rrugëtimin e kuqezinjve në Botëror, ka marrë vëmendjen maksimale të skuadrës pasi vetëm në rast të një suksesi, kuqezinjtë do të mbanin gjallë shpresat për një biletë në Kupën e Botës.
Grupi nuk ka patur probleme sa i përket mungesave, por ajo që është vënë re në seancën e fundit stërvitore është se tre futbollistë u shfaqën të fashuar në fushë, ndonëse morën pjesë rregullisht në seancën stërvitje.
Bëhet fjalë për Arlind Ajetin, Adrion Pajazitin dhe Myrto Uzunin, të cilët gjatë gjithë kohës u shfaqën me fasho në këmbë, megjithatë për trajnerin Sylvinho nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi janë vetëm probleme të lehta muskulore, shkruan A2.
Kjo nuk pritet të ndikojë në fushë të martën në mbrëmje në sfidën që jo më kot e kanë konsideruar dhe një finale të mirëfilltë për kuqezinjtë për ëndrrën e Botërorit.
Pas fitores së Serbisë me Letoninë, Shqipëria ka zbritur në vendin e tretë në grupin K, duke u parakaluar nga rivali serb. Aktualisht, kuqezinjtë janë në kuotën e 5 pikëve, 2 më pak se Serbia e vendit të dytë dhe një më shumë se Letonia e vendit të katërt. Kreun e mban Anglia me 12 pikë.
Ndeshja Shqipëri-Letoni do të luhet të martën, në orën 20:45, në Arenën Kombëtare.
(A2 Televizion)