Golashënuesi më i mirë në histori, Mbappe kalon Messin dhe fiton “Këpucën e Artë”

Nga Dea Kozma
20 Korrik 2026, 14:48 | Futboll

Franca nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në Botëror, por nga ana tjetër arriti të triumfonte në garën mes lojtarëve. Kylian Mbappé largohet nga Botërori 2026 me një tjetër arritje historike. Sulmuesi francez fitoi Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë i turneut me 10 gola, duke lënë pas Lionel Messin me tetë.

Madje, 27-vjeçari është futbollisti i parë në histori që e fiton dy herë këtë trofe në Kupën e Botës. Rekordet nuk ndalen këtu. Golat e realizuar e çuan Mbappen në kuotën e 22 golave në Kupën e Botës, duke e bërë golashënuesin më të mirë në historinë e turneut, përpara Lionel Messit dhe rekordit historik të Miroslav Kloses. Në vetëm tre Botërorë, francezi ka shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit botëror.

Nga ana tjetër, Lionel Messi e mbylli Botërorin me zhgënjimin e finales së humbur ndaj Spanjës. Kapiteni argjentinas nuk arriti të shënonte në ndeshjen vendimtare dhe mbeti në kuotën e tetë golave në këtë edicion, duke humbur garën për Këpucën e Artë dhe mundësinë për ta mbyllur karrierën e tij në Botëror me një tjetër trofe.

Për një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë, ëndrra për një fund të përsosur u ndal në aktin e fundit, ndërsa stafetën e rekordeve ia la yllit francez, Kylian Mbappé, i cili premton shumë edhe për të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos