Manchester City e ka nisur sezonin e ri aty ku e mbylli të kaluarin. “Qytetarët” triumfuan në “Stamford Bridge” përballë Chelsea me rezultatin 0-2, në një ndeshje ku Armando Broja nuk u grumbullua nga “Blutë” e Londrës.
Sfida nisi mjaft mirë për ekipin e Guardiolës, të cilët kaluan në avantazh me Erling Haaland në minutën e 18. Në minutën e 45 Chelsea riktheu baraspeshën, por goli i Jackson u anulua për një pozicion të parregullt.
Pjesa e dytë ishte gjithashtu e luftuar, me ekipin e Enzo Maresca që tentoi disa herë barazimin, por pa ia arritur qëllimit.
Në minutën e 84 ishte Kovacic që ndëshkoi ish-skuadrën e tij me një supergol dhe vulosi kështu fitoren për kampionët në fuqi të Anglisë.
(A2 Televizion)