Shorti për turin e parë paraeliminator të Champions League i ka buzëqeshur skuadrave shqiptare që do të marrin pjesë në sezonin 2024/2025.
Kampionia e Superligës, Egnatia ka “peshkuar” boshnjakët e Borac Banja Luka, një rival i lehtë në letër. Rrogozhinasit e Edlir Tetovës pasi fituan dy trofetë e sezonit të sapo mbyllur, do të zhvillojnë sfidën e parë në transfertë dhe atë të kthimit në Shqipëri.
Edhe Ballkani i Ilir Dajës ka qëlluar me fat, pasi gjen në fazën e parë modestët e Santa Coloma, nga Andorra. Duket se kalimi në turin e dytë eliminator do të jetë një formalitet për kampionët e Kosovës, të cilët sfidën e parë e luajnë në Prishtinë.
Më i komplikuar shorti për Strugën. Kampionët e Maqedonisë së Veriut gjejnë një kundërshtar më me eksperiencë në Europë si sllovakët e Slovan Bratislavës. Sfida e parë do të luhet në transfertë dhe ndeshja e kthimit në shtëpi.
Ekipi i katërt shqiptar që merr pjesë në turin e parë të Champions League, Deçiç Tuzi, që fitoi kampionatin në Malin e Zi, do të sfidojë uellsianët e The New Saints për një kalim historik në turin e dytë.
Ndeshjet e para të turit të parë eliminator do të zhvillohen më 9 dhe 10 korrik, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë, më 16 dhe 17 korrik. (A2 Televizion)