Mosha 7 deri në 18 vjeç, “Dyrrah City” merr jetë, 400 fëmijë bëhen pjesë e Akademisë

Nga Erald Kodhelaj
13 Qershor 2024, 15:14 | Futboll

Me prezencën e personaliteteve të njohur në fushën e futbollit, trajnerë të moshave dhe me prezencën e më shumë se 400 fëmijëve, Durrësi është kthyer këtë javë në një kamping të vogël për moshat.

Një projekt ambicioz i Ministrisë së Arsimit e Sportit, po ravijëzon edhe më shumë nismën e qeverisë dhe klubit mitik Manchester City ndërsa pranimet e reja do të shoqërohen me bursa.

Fillimi i aplikimeve në Dyrrah City Football Academy ka zgjeruar hartën e atyre që duan të jenë pjesë e agjencisë së inspiruar nga Citizens në Britaninë e Madhe. Me një mundësi të jashtëzakonshme për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, të apasionuar për futbollin, procesi i seleksionimit për regjistrimin e futbollistëve të rinj po ecën me ritme optimale. Në takimin e fundit me drejtuesit e Manchester City në “Etihad Stadium”, u avancuan planet për të nxjerrë talentet tona në vitrinën kontinentale”, tha Gjergj Ndoci, administrator i Dyrrah City Football Academy.

Në një muaj të nxehtë që do kulmojë me kombëtaren në finalet e Euro 2024 në përballje epike ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës, po shtohet gama e gjerë e aplikimeve edhe te Dyrrah City, me trajnerë nga Spanja, Italia e Suedia, për të qenë pjesë e Akademisë që starton në Shtator.

Akademia pranon fëmijë e të rinj të moshës nga 7 deri në 18 vjeç. Pritet që shumë shpejt me mbylljen e fazës së parë të punimeve, stërvitja të zhvendoset në kompleksin që do të ndërtohet në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos