Trajneri Ilir Daja është vetëm një hap larg Dinamos. Ky është lajmi i bujshëm që vjen nga mediat kosovare. E ardhmja e trajnerit 57-vjeçar pritet të jetë në Shqipëri dhe aventura e tij me Ballkanin mund të konsiderohet e mbyllur.
Siç raportohet nga A2 CNN, trajneri shqiptar më i suksesshëm i Ballkanit ka rënë dakord për t’u rikthyer te Dinamo dhe mungojnë vetëm detajet e fundit që klubi të zyrtarizojë teknikun e ri.
Ilir Daja shkruajti historinë me skuadrën e Ballkanit duke fituar çdo trofe të mundshëm. Nën drejtimin e tij, Ballkani arriti që të kualifikohej dy herë radhazi në grupet e Conference League. Tani, 57-vjeçari është gati për një sfidë të re në karrierën e tij, me synimin për të rikthyer dhe një herë sukseset te Dinamo.
Negociatat vijojnë, ndonëse deri më tani asnjë nga palët nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër.
Dy humbje në dy javët e para të kampionatit kanë mjaftuar që e ardhmja e trajnerit Dritan Mehmeti të vihet në dyshim. Ashtu si një sezon më parë, tekniku Mehmeti mori drejtimin e Dinamos në një moment të vështirë dhe arriti që deri në fund të besonte për “Final 4”, por kjo shpesh nuk ka mjaftuar për drejtuesit.
Edhe këtë fillim sezoni, panorama është e njëjta, dy humbje në dy ndeshje kanë lëkundur jo pak pozitat e teknikut Mehmeti në pankinën e kryeqytetasve. (A2 Televizion)