Claudio Bravo ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli në moshën 41-vjeçare.
Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, portieri nga Kili ka ndarë me fansat vendimin e tij.
“Përshëndetje të gjithëve! Përmes kësaj video dua të ndaj me ju lajmin se do të largohem nga futbolli profesionist. Besoj se kam marrë vendimin e duhur, një vendim të mirëmenduar dhe që është diskutuar thellësisht me familjen time dhe me të afërmit. Po mbyll një kapitull shumë të rëndësishëm në jetën time dhe është gjithashtu një moment për të filluar një fazë tjetër në jetën time, një stad familjar që do të jetë po aq i suksesshëm sa ky, i cili na solli kënaqësi të madhe në çdo kuptim”, shkruan Bravo, siç raporton A2 CNN.
Bravo ka pasur një karrierë të suksesshme, duke veshur ngjyrat e Barcelonës midis viteve 2014 dhe 2016, gjatë së cilës ai mbajti 43 herë portën e paprekur në 75 ndeshje për klubin.
Ai gjithashtu fitoi Champions League, dy herë kampionatin, dy herë Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube me Barcelonën, ndërsa fitoi edhe trofe tjerë me Manchester City dhe Real Betis.
(A2 Televizion)