Infnatino në lidhje dashurie me punonjësen? UEFA konfirmon pagesën e majme

Nga A2 CNN
8 Gusht 2026, 22:05 | Futboll

Infnatino në lidhje dashurie me punonjësen? UEFA konfirmon

UEFA ka konfirmuar se i ka bërë një pagesë të konsiderueshme një ish-punonjëseje gjatë periudhës kur Gianni Infantino drejtonte organizatën si Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa presidenti aktual i FIFA-s mohon kategorikisht akuzat se pagesa lidhej me një marrëdhënie intime.

Çështja u bë publike pas një raportimi të gazetës britanike The Telegraph, e cila pretendoi se UEFA kishte bërë një pagesë me gjashtë shifra ndaj një gruaje që dyshohej se kishte pasur një lidhje me Infantinon gjatë viteve të tij në drejtimin e UEFA-s, nga 2009 deri në vitin 2016.

Sipas raportimit, gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, ishte një punonjëse në një nivel më të ulët dhe më pas ishte promovuar në një pozicion drejtues me pagë më të lartë. Gazeta pretendon gjithashtu se UEFA kishte mbuluar kostot e një masteri pasuniversitar për të dhe se, në momentin e largimit nga organizata, ajo kishte marrë një pagesë të konsiderueshme.

UEFA e ka konfirmuar ekzistencën e pagesës dhe financimin e studimeve, por ka mohuar se ato kanë qenë në kundërshtim me rregullat e kohës. “Pagesa ishte në përputhje me rregulloret që ekzistonin në atë kohë për punonjësit që largoheshin”, deklaroi UEFA, duke shtuar se rregullat e brendshme janë forcuar që prej vitit 2016.

FIFA, ndërkohë, i ka cilësuar akuzat ndaj Infantinos si të pavërteta. Një zëdhënës i organizatës tha se presidenti “i mohon fuqimisht këto akuza” dhe se çdo pretendim për sjellje të papërshtatshme apo shkelje të rregullave është shpifës.

Skandali del në një moment të vështirë për Infantinon. Presidenti i FIFA-s është nën presion të shtuar pas krizës me UEFA-n lidhur me planet e diskutueshme për shitjen e disa të drejtave komerciale dhe operative të Kupës së Botës.

UEFA ka kërcënuar me bojkot të kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Botërorët e ardhshëm, ndërsa sindikata e futbollistëve FIFPRO ka deklaruar se besimi te drejtimi i FIFA-s është “thyer në mënyrë thelbësore”.

Nga ana tjetër, CONMEBOL nuk mbështet thirrjet për një kongres të jashtëzakonshëm kundër Infantinos, ndërsa Konfederata Afrikane e Futbollit ka shprehur mbështetje për presidentin e FIFA-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos