Flakët pranë banesave, nis evakuimi në Krujë

Nga A2 CNN
8 Gusht 2026, 22:58 | Kronikë

Flakët pranë banesave, nis evakuimi në Krujë

Si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës Barabit-Lluban, në Bashkinë Krujë.

“Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë. Për realizimin e evakuimit do të angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura”, njoftoi Qeveria.

“Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi ndryshe dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore. U bëjmë thirrje banorëve të zonës Barabit–Lluban të ndjekin me përparësi udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave gjatë procesit të evakuimit”.

Në terren, forca të shumta zjarrfikëse me mbështetjen e 3 helikopterëve të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore.

Më herët ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se personi i cili kishte ndezur zjarrin, që më pas doli jashtë kontrollit, është arrestuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos