Në kampin zikaltër ka nisur një operacion “pajtimi” pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fjalët e kapitenit Lautaro Martinez pas eliminimit të Interit nga Botërori i Klubeve.
Sipas mediave italiane, pas një nate reflektimi, skuadra dhe stafi teknik zhvilluan një takim të mbyllur në hotelin e tyre në Charlotte, pa praninë e drejtuesve të klubit. Qëllimi ishte të qartësoheshin keqkuptimet dhe të qetësoheshin ujërat pas polemikave që shpërtheu Lautaro pas humbjes me Fluminense.
Kapiteni argjentinas, me tonet e tij të ashpra, kishte lënë gjurmë jo vetëm te Hakan Calhanoglu, por në të gjithë dhomën e zhveshjes. Disa shokë skuadre nuk u treguan aspak dakord me mënyrën se si ai i kishte shprehur publikisht pakënaqësitë në një moment delikat si ky. Megjithatë, gjatë takimit, pjesa më e madhe e lojtarëve kuptuan arsyet që e shtynë Lautaron të fliste, duke sqaruar shumë pika të mbetura pezull, shkruan A2 CNN.
Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm fizikisht Calhanoglu, i rikthyer prej kohësh për shkak të një dëmtimi dhe disa lojtarë të tjerë si Frattesi, Pavard, Bisseck dhe Zielinski. Nuk dihet nëse ata morën pjesë online.
Ky ballafaqim pritet të shërbejë si pikënisje për një faqe të re te Interi, i cili rreth datës 23 korrik do të grumbullohet në Appiano Gentile nën drejtimin e trajnerit të ri Cristian Chivu. Për ish-mbrojtësin rumun sfida është e dyfishtë: të ndërtojë një identitet të ri taktik dhe të shërojë çdo përçarje në grup. (A2 Televizion)