Katari ka shprehur interes për të pritur Kupën e Botës për Klube 2029. Ashtu siç organizoi Botërorin e kombëtareve në vitin 2022, edhe për këtë turne ka hedhur kanidaturën për ta zhvilluar në tokën e saj dhe detyrimisht në stinën e dimrit, për shkak të temperaturave të larta.
Sipas “The Guardian”, zyrtarët e Katarit kanë zhvilluar tashmë diskutime me zyrtarë të lartë të FIFA-s gjatë edicionit aktual në Shtetet e Bashkuara, duke shprehur dëshirën e tyre për ta zhvilluar Kupën e Botës në Lindjen e Mesme pas katër vitesh, shkruan A2.
Nëntë stadiumet e ndërtuara për Kupën e Botës 2022 në Katar janë ende në vend, me gjashtë prej tyre që përdoren rregullisht për të pritur ndeshjet e kampionatit arab.
Të gjitha mund të përdoren për të minimizuar kostot e organizimit dhe udhëtimet e tifozëve. Zhvendosja e këtij turneu në Katar dhe në periudhën e dimrit mbi të gjitha mund të kundërshtohej fuqimisht nga ligat evropiane. Megjithatë, klubet mund të kenë një mendim të ndryshëm, duke pasur parasysh shpërblimet financiare me FIFA-n që ka caktuar një fond prej 1 miliard dollarësh për këtë edicion dhe me shumë gjasa do të ofrojë shpërblime edhe më të mëdha për edicionin e dytë.
Katari është vendi i katërt që deklaron zyrtarisht dëshirën për të organizuar Botërorin për Klube, pasi Spanja, Maroku dhe Brazili kishin shprehur fillimisht kandidaturën e tyre për të pritur turneun ku marrin pjesë gjigantë të futbollit botëror. (A2 Televizion)