Fluminense ka bërë surprizën e madhe duke eliminuar finalistët e Ligës së Kampionëve, Inter Milan, me rezultatin 2-0, në përballjen e vlefshme për fazën e 1/16-ve të Kupës së Botës për Klube, e zhvilluar në “Bank of America Stadium” në Charlotte.
Skuadra braziliane, e cila nuk pati asnjë goditje në portë në ndeshjen e fundit të grupit, ndryshoi qasje kundër Interit, duke ushtruar presion të lartë që në minutat e para. Rezultati erdhi shpejt: vetëm pas tre minutash, Jhon Arias fitoi topin në gjysmën e kundërshtarit dhe harkimi i tij, i devijuar, përfundoi në kokën e Germán Cano-s, i cili nuk fali nga afër.
Interi reagoi me Federiko Dimarco-n në minutën e 11-të, por portieri Fábio bëri pritje vendimtare pas një kombinimi të bukur me Mkhitaryan-in. Skuadra e Cristian Chivu dominoi në kontrollin e topit për rreth 20 minuta, por mbrojtja e Fluminense mbeti e pathyeshme. Pas gjysmë ore lojë, Arias rrezikoi nga distanca dhe portieri Sommer e grushtoi topin, i cili u kthye tek Samuel Xavier, por ky i fundit e çoi jashtë nga fare pranë portës.
Në fundin e pjesës së parë, Fluminense mendoi se kishte dyfishuar, por goli i Ignácio-s u anulua për pozicion jashtë loje. Statistikat nuk ishin në favor të Interit, pasi brazilianët nuk kishin pësuar gol në pjesët e dyta në shtatë ndeshjet e fundit. Kjo seri u konfirmua sërish: përveç një goditjeje të de Vrij nga distanca, Inter nuk pati shumë mundësi deri në minutat e fundit.
Në fund, tentativa e Lautaro Martínez nuk mjaftoi: sulmuesi argjentinas u ndal nga Fábio dy herë dhe goditi edhe shtyllën. Duke lënë hapësira pas, Inter u ndëshkua sërish kur Hércules shënoi golin e dytë në minutat e fundit.
Me këtë fitore, Fluminense siguron çerekfinalet dhe regjistron ndeshjen e tretë radhazi pa pësuar gol, ndërsa Interi duhet të kthehet në Milano për të përgatitur sezonin e ri, duke regjistruar humbjen e dytë radhazi kundër kundërshtarëve brazilianë pa mundur të shënojë. (A2 Televizion)