Kur kanë mbetur dhe 5 javë nga përfundimi i sezonit te rregullt në Kategorinë Superiore, skuadrat po bëjnë llogaritë e fundit për të arritur objektivat e tyre. Ndeshje interesante të forta në letër dhe që mund të vendosin shumë për fatin e këtij sezoni.
Java e 32-të nis këtë të premte me dy takime. Tirana përballet me Erzenin në Elbasan Arena. Ndërkohë Kukësi pret Skënderbeun ndërsa tre takimet e tjera do të luhen të shtunën. Laçi pret Egnatian, Vllaznia udhëton në Durrës ndërsa gjithçka mbyllet me derbin e kryeqytetit Partizani-Dinamo në Arenën Kombëtare. Takimi nis në orën 18:00.
Tirana luan me Erzenin në një sfidë shumë delikate për sezonin. Në rast të një disfate bardheblutë rrezikojnë seriozisht një vend mes 4 ekipeve më të mira ndërsa Erzeni nga ana tjetër nëse humb, zbeh dhe më shumë shpresat për të qëndruar në elitë sezonin tjetër.
Tek kryeqytetasit rikthehet portieri Kozi që ishte i pezulluar ndërsa në mungesë të Latifit, me shumë gjasa që nga minuta e parë do të luajë Patrik.
Ndërkohë Erzeni do të luajë me formacionin më të mirë. Takimi luhet këtë të premte në orën 15:00. Në garë për një vend në katërshen e parë është dhe Skënderbeu i cili ka treguar se nuk dorëzohet.
Korçarët kanë tre ndeshje pa fitore megjithatë një fitore e mundshme ndaj Kukësit mund t’i rikthente shpresat për të kapur vendin e katërt.
Ekipi i Gvozdenovic pret në shtëpi verilindorët që i kanë hapur jo pak probleme skuadrave të mëdha. Të dyja ekipet do të luftojnë fort për të marrë 3 nga kjo sfidë. Ndeshja luhet të premten në orën 15:00. (A2 Televizion)