Sot në mbrëmje radhën e ka Europa dhe Conferencë League. Rezervohen ndeshje të bukura me gjigande të futbollit europian. Vëmendja është në Olimpiko aty ku Milani do të provojë të përmbysë Romën. Liverpool duhet të bëjë surprizën ndaj Atalantës pas humbjes 3-0 në Anfield. Ndërkohë Leverkusen që është me një këmbë në gjysmëfinale, përballet me West Ham, ndërsa Marseja sfidon Benfikën në shtëpi. Të gjitha ndeshjet janë programuar në orën 21:00.
Vëmendja e veçantë këtë mbrëmje do të jetë në derbin e Italisë në Romë, aty ku Milani do të provojë gjithçka për të përmbysur humbjen minimale në San Siro. Kuqezinjtë e Stefano Piolit janë besimplotë se mund t’ia dalin dhe do të luajnë në fushë me formacionin më të mirë.
“Duhet të kemi besim maksimal tek aftësitë tona. Kemi kualitetin për të zhvilluar një ndeshje të madhe dhe për të fituar. Sfida e parë nuk vlen më, të mos e mbajmë mendjen aty. Sigurisht që ka shumë gjëra të vogla që mund dhe duhet t’i bëjmë më mirë për të vënë në vështirësi kundërshtarët tanë. Do të jetë një ndeshje krejtësisht ndryshe, objektivi ynë i vetëm është kualifikimi në gjysmëfinale. Kurrë nuk kemi fituar për shkak të Leaos, dhe as që kemi humbur ndonjëherë për faj të tij. Ai është i rëndësishëm ne ekip por ne luajmë si skuadër dhe gjithmonë përpiqemi të punojmë së bashku”, tha tekniku i kuqezinjve.
Nga ana tjetër kryeqytetasit vuajnë mungesën e Kristante ndërsa në vendin e tij do të luajë talenti Bove ndërkohë pjesa tjetër nuk ndryshon.
“Duhet të kemi kujdes.. Nuk kemi siguruar asgjë. Milani do të luftojë fort për të marrë maksimumin, është mundësia e tyre e vetme. Duan të fitojnë dhe të arrijnë objektivat e tyre por edhe në do të bëjmë çmos për të kaluar më tej. Eshtë si një ëndërr por të gjithë e dimë se do të jetë shumë e vështirë për ne. Takimi i parë ishte i balancuar edhe pse për ne shkoi pak më mirë. Milani nuk do të ndryshojë shumë taktikat e tij por në duhet të mendojmë për planin tonë. Pa presion ne mund t’ia dalim”, tha tekniku i verdhekuqve.
Roma nuk ka një histori pozitive përballë Milanit në Olimpiko pasi ka humbur tre nga katër ndeshjet e fundit në shtëpi në të gjitha turnetë.
Ndërkohë sfidën që do të luhet në Bergamo, Atalanta do të përpiqet të ruajë avantazhin e 3 golave pasi është vetëm një hap larg arritjes së madhe në Europa League, ku mund të sigurojë vendin në gjysmëfinale duke eliminuar favoritët e Liverpulit.
Suksesi madhështor 3-0 në Anfield i ka vendosur italianët në pozita mjaft komode, aq më tepër që ndeshjen e kthimit e luajnë përballë publikut të tyre në Bergamo.
Gjithsesi, Reds mbeten një skuadër cilësore, një kundërshtar shumë i vështirë dhe që nuk dorëzohet asnjëherë. Nëse te Atalanta e Gjimshitit kërkojnë ta nisin lojën sikur sfida të ishte në barazim pa gola, te Liverpuli do të synojnë një rrjetë të shpejtë, për të provuar të kthehen në ndeshje.
Edhe pse nevojitet një mrekulli, Reds shpresojnë falë rikthimeve të Salah si titullar dhe të portierit Alison në portë. (A2 Televizion)