Edon Zhegrova është prezantuar zyrtarisht para mediave si lojtari më i ri i Juventusit. Sulmuesi i Kosovës u shfaq i buzëqeshur dhe plot entuziazëm për këtë aventurë të re, duke theksuar se është pritur shumë mirë nga shokët e skuadrës dhe stafi teknik.
“Jam shumë i lumtur me këto ditë të para. Klubi më bindi, gjithmonë kam dashur të luaj për një klub të madh si Juventusi,” – tha Zhegrova, duke shtuar se projekti i bardhezinjve dhe cilësia e skuadrës ishin vendimtare për zgjedhjen e tij.
Megjithatë, përballja e madhe e fundjavës kundër Interit do të vijë ende pa të. “Kam kaluar një periudhë të vështirë, por ndihem më mirë. Stafi po më ndihmon dhe shumë shpejt do të jem gati. Kundër Interit nuk do të luaj, do të jem në mbështetje të ekipit,” – shpjegoi ai.
Në konferencë, Zhegrova nuk i fshehu emocionet për këtë hap të madh në karrierën e tij, duke kujtuar edhe momentin kur u përball me Juventusin në Champions League, një ndeshje që sipas tij ishte mundësi për t’u shfaqur. “Tani ajo epokë ka mbaruar, jam krenar që jam këtu dhe mezi pres debutimin tim,” – theksoi ai.
I pyetur për nofkën e tij “luani”, Zhegrova tha se e ndjen më shumë si forcë mendore. Ai premtoi se do të dhurojë fanellën e tij për kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë si tifoz të madh të Juventusit, ndërsa shtoi se te Juventusi përfaqëson të gjithë shqiptarët. (A2 Televizion)