
Sokol Hoxha, 51-vjeçari i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbërritur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, ku kërkon shpalljen e parashkrimit të dënimit penal.
Hoxha, nga Patosi, është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997, ndërsa nga drejtësia belge është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Ai u arrestua në SHBA në muajin maj, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara, në kuadër të operacionit “Globi”. Më 6 gusht, ai u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg, të dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.
Megjithatë, duke qenë se kanë kaluar 26 vite nga moszbatimi i dënimit penal, Hoxha kërkon shuarjen e tij përmes parashkrimit. Seanca gjyqësore, e zhvilluar një javë më parë, u shty për ditën e sotme për të marrë informacion nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit.
Përpara trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtarja Aurora Tusha, prokurorja Malbora Dinaj dhe avokatët Toto Avdija e Rozeta Plaku, Hoxha do të përballet me shqyrtimin e kërkesës së tij për shuarjen e dënimit penal. (A2 Televizion)