
Dhuna mes tifozëve italianë ka shënuar skena shqetësuese të dielën mbrëma, përpara ndeshjes së Serie A mes Genoa-Inter, e zhvilluar në stadiumin “Luigi Ferraris”. Festimet para ndeshjes u kthyen në përplasje të ashpra, ku mbështetës të të dyja skuadrave u përfshinë në akte vandalizmi dhe dhune, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të shumta policore.
Sipas mediave italiane, tifozët dyshohet se përdorën kokteje Molotov, bomba tymuese, fishekzjarrë dhe shishe, ndërsa disa mjete u përfshinë nga flakët në rrugët përreth stadiumit, përfshirë një furgon dhe një skuter, shkruan A2 CNN. Zjarret kërkuan edhe ndërhyrjen e zjarrfikësve për t’u vënë nën kontroll, shkruan A2 CNN. Policia e rendit, e përgatitur për një përplasje të mundshme, përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, ndërsa nga incidentet u raportua se deri në tre efektivë u dërguan në spital me lëndime të lehta.
Ngjarja ndodhi rreth një orë para fillimit të takimit, menjëherë pas mbërritjes së autobusëve me tifozë të Interit. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që përplasja të ketë qenë e organizuar paraprakisht. Pavarësisht kaosit, situata u qetësua dhe tifozët u lejuan të hynin në stadium, duke bërë që ndeshja të zhvillohej normalisht.
Në fushë, Interi fitoi 2-1, duke marrë kryesimin e Serie A. Golat e Yann Bisseck dhe Lautaro Martinez i siguruan avantazhin miqve, ndërsa Genoa ngushtoi rezultatin me Vitinha, por pa shmangur humbjen.
(A2 Televizion)