Thesaret e fshehura: “Në Rrugën Egnatia është përdorur tritol për të gjetur florinj”

Nga Armend Pire
15 Dhjetor 2025, 15:42 | Aktualitet

Rruga Egnatia, e ndërtuar afro 2200 vite më parë, një nga veprat më të rëndësishme botërore që lidhte Romën me Stambollin, është edhe një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Shqipërisë, sa i takon historisë dhe gjurmëve të mbetura në territorin tonë. Emisioni “Hotspot” në A2 CNN, nga gazetari Armend Pire, ishte në Librazhd, në gjurmët e Rrugës Egnatia, ku gërmimet për thesare të fshehura po shuajnë vlerat historike.

Kjo vepër madhështore, nëpër të cilën kalonin karvanët e tregtisë, ushtria romake si dhe zhvillohej lëvizja e komunikimeve të ndryshme, është kthyer në vendgërmimi. Mitet se në këtë rrugë ka thesare të fshehura kanë mjaftuar që prej vitesh ky segment të bjerë pre e gjahtarëve të thesareve, të cilët përdorin edhe metoda të rënda kërkimi, duke shkaktuar dëme të mëdha.

“Këtu jemi në fshatin Dardhë, në Librazhd. Këtu kalon edhe Rruga Egnatia. Këtu kemi pasur një kodër, ku vinin turistët dhe e kishin si pikë shlodhëse. Aty nuk e dimë çfarë ndodhi më pas. U ndërhy me aparatura dhe pati dyshime se kishte flori. U bënë gërmime me pretekstin se po merrnin dhe dheun për të shtruar rrugët këtu përreth, por qëllimi ishte tjetër. Nuk e dimë çfarë gjetën. U futën bashkë me pronarin e tokës. Aty ka punuar shteti, faktikisht”, tha Bedri Rrenga, guidë lokale.

Në këtë rrugë pretendohet edhe për thesare ilire të fshehura, çka rrit edhe më tepër interesin e kërkuesve për të kthyer dheun përmbys.

“Flitet që në këtë zonë fshihen edhe thesaret e mbretëreshës Teuta. Shumica e atyre që vijnë, këtë kërkojnë. Është punuar pranë disa shkëmbinjve, për të cilët kishte dyshime se fshihnin thesare, aq sa shqetësonin edhe banorët e zonës me zhurma dhe me gurët që rrëzoheshin. Kemi dyshime se në këto gërmime ka qenë i përfshirë edhe shteti, pasi zonat rrethoheshin dhe nuk lejohej kalimi i banorëve aty pranë”, tregon më tej Bedriu, i cili është njëkohësisht edhe banor i zonës.

“Rruga Egnatia ka pasur periudha kur nuk ka pasur intensitet të lartë kalimi. Në kohën e pikut të transportit detar, kur Venediku bëhet superfuqi rajonale, në Rrugën Egnatia bie numri i karvaneve. Pika kulminante e funksionimit të saj si rrugë tregtare duhet të jetë diku pas viteve 1500–1600 dhe thesaret mund t’i përkasin kësaj periudhe. Maja e shkëmbit atje ka rënë pre e gjahtarëve të thesareve. Është një nga pjesët më të dëmtuara, pasi aty është përdorur edhe tritol për të shpërthyer shkëmbin. Gjahtarët e thesareve kryesisht janë shqiptarë, ndërsa të huaj ka shumë pak”, – tha inxhinieri i gjeomjedisit, Adriatik Kurti.

Rruga Egnatia është lënë në mëshirë të fatit edhe nga institucionet, të cilat nuk janë kujdesur për mirëmbajtjen e saj. Shumë kalldrëme janë zhdukur, disa ura janë shembur dhe pjesë të tjera të rëndësishme kanë rrëshqitur për shkak të erozionit. Shqipëria ka fatin e madh që gjurmët e kësaj vepre botërore të jenë ende të dukshme, por nëse do të vijojë të mbetet në harresë, Rruga Egnatia rrezikon të zhduket. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos