Kur kanë mbetur edhe dy ndeshja nga faza e rregullt e Kategorisë Superiore, ende nuk janë dhënë verdiktet finale. Nëse Egnatia, Dinamo dhe Vllaznia e kanë siguruar një vend në Final 4, Partizani dhe Elbasani luftojnë në distancë për vendin e katërt.
Skuadra e kuqe luan këtë javë me Bylisin në Ballsh i cili gjithashtu kërkon me detyrim 3 pikë për të shpresuar te mbijetesa. Në anën tjetër Elbasani përballet me Vllazninë. Me vetëm një pikë larg kryeqytetasve, ekipi i Gvozdenovic beson se mund të bëjë surprizën.
Llogaritë janë ende të hapura dhe për mbijetesë. Një finale e radhës do të jetë ajo mes Tiranës dhe Teutës. Dy ekipe që këtë sezon luajnë për të shpëtuar nga rënia do të matin forcat në Arenën Kombëtare me synimin e vetëm Fitore.
Në anën tjetër, Skënderbeu përballet me Egnatian që prej disa javësh e ka blinduar top katërshen. Mirëpo, pavarësisht kësaj, rrogozhinasit thanë se në çdo ndeshje do të bëjnë detyrën deri në fund.Ndërkohë në takimin tjetër, Laçi i vendit të fundit përballet me Dinamon. Të gjitha ndeshjet do të luhen të shtunën në orën 15:30. (A2 Televizion)