Më shumë se 450 tifozë të Interit u bënë pjesë e minimaratonës Inter Run, që bëri bashkë zikaltërit në një fundjavë ndryshe. Gara që nisi në digën e liqenit artificial dhe përshkroi 5 km garantoi emocione të mëdha për të gjithë pjesëmarrësit. Pa dallim moshe apo gjinie, atë ditë mbizotëronin dy ngjyra zi dhe kaltër.
Një organizim deri në detaje nga Inter Club Albania që në mbështetjen e plotë dhe nga klubi i Interit organizoi këtë event për të gjithë tifozët zikaltër. Garuesit nuk ishin vetëm nga Shqipëria, por në pistë zbritën dhe shumë italianë të cilët kishin ardhur në vendin tonë për të qenë pjesë e kësaj minimaratone.
Aktiviteti nisi që në mëngjes me garën e fëmijëve. Të gjithë të veshur me fanellën e Interit, ata ishin kthyer në tifozët më të zjarrtë të skuadrës italiane.

Jo vetëm njerëzit, por pjesëmarrës ishin dhe kafshët të cilët zgjodhën që këtë ditë të visheshin me ngjyrat zikaltër.
Surpriza më e bukur e këtij eventi ishte padyshim Andrea Ranocchia. I ftuari special i Inter Club Albania që kaloi një fundjavë në Tiranë. Të gjithë tifozët kishin mundësi për të bërë foto dhe video me ish-lojtarin e Interit që në cdo moment ishte i gatshëm për të biseduar me secilin prej tyre.
Sipas presidentit të Inter Club Albania, Juxhin Rama, ky event i arriti të gjitha pritshmëritë ndërsa tregon me bindje të plotë, se nuk do të jetë aktiviteti i fundi për tifozët zikaltër.

Pjesë e kësaj minimaratone ishin dhe atlete apo ish sportistë që kishin zgjedhur të garonin për një ditë ndryshe.
Dashuria për fanellën e Interit, ndjehet sapo i takon ata. Të gjithë i bashkonte pasioni për Interin dhe ëndrra që ky sezon të vishet zikaltër. Një rrugë e vështirë por jo e pamundur sipas tyre.. (A2 Televizion)