Kategoria Superiore, pretendentët dhe ekipet në krizë, çdo pikë vlen

Nga Dea Kozma
13 Tetor 2026, 11:47 | Futboll

Kategoria Superiore ka hyrë në një fazë ku çdo pikë mund të jetë vendimtare për objektivat e skuadrave. Pas përfundimit të javës së gjashtë, Teuta, Egnatia dhe Dinamo kanë nisur të shkëputen disi nga skuadrat e tjera, duke konfirmuar kandidaturën e tyre për titullin kampion.

Teuta është surpriza e bukur e këtij edicioni. “Blutë e detit” kanë fituar 5 nga 6 ndeshjet e para të sezonit, ndërsa duelin e parë, atë kundër Partizanit, e barazuan pa gola. Skuadra nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova ka marrë një tjetër fytyrë. Pak fjalë dhe shumë punë, këtë kanë arritur ta tregojnë më së miri deri tani në fushë.

Me një pikë më pak renditet Egnatia. Rrogozhinasit e kanë nisur aty ku e kanë lënë. Objektivat nuk lidhen vetëm me kampionatin vendas, por, siç ka theksuar edhe trajneri Dede, synimi është të bëjnë sa më mirë edhe në arenën europiane. Egnatia është mundur në gjashtë javë vetëm nga Elbasani, me rezultatin 2-1, në një kalendar të ngjeshur, ku lodhja fizike mund të ndikojë sadopak.

Në një krizë totale duket se ndodhet Partizani, që ka humbur busullën. Të kuqtë kanë humbur 4 nga 6 ndeshjet e zhvilluara, ndërsa një është mbyllur në barazim. Fitoren e vetme e kanë regjistruar kundër Vllaznisë. Kryeqytetasit mbeten në krizë dhe tani enden në fundin e tabelës, ku çdo pikë mund të jetë e vlefshme për realizimin e objektivave të tyre.

Kategoria Superiore ende nuk e ka përfunduar fazën e parë, ndërsa polemikat dhe llogaritë për një sezon sa më spektakolar kanë nisur që tani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos