Kombëtarja shqiptare është rikthyer në stërvitje pas fitores së madhe ndaj Serbisë mbrëmjen e djeshme në Leskovac dhe ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen miqësore me Jordaninë, e programuar të luhet të martën, më 14 tetor, në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:00.
Trajneri Silvinjo e ndau grupin në dy pjesë në stërvitjen e sotme. Lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Serbisë zhvilluan një seancë të plotë, me fokus te puna me topin dhe situatat e ndryshme të lojës, ndërsa ata që u aktivizuan në ndeshjen zyrtare kryen vetëm shkrythje në palestër dhe fizioterapi.
Atmosfera në kampin kuqezi është shumë pozitive. Lojtarët e kanë kthyer në festë fitoren historike që e afron edhe më shumë Shqipërinë me objektivin për të siguruar një vend në play-off-in e Botërorit 2026. (A2 Televizion)