Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë reagimin e parë pas mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet lokale të kësaj të diele.
Kurti falënderon përmes një postimi në Facebook të gjithë qytetarët që shprehën vullnetin e tyre me votë, duke mos krijuar incidente gjatë procesit dhe në veçanti votuesit që i konfirmuan besimin LVV-së.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara”, shkruan Kurti.
Më tej ai i bën thirrje komisonerëve që të finalizojnë po ashtu pa probleme numërimin e votave.
“Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”, shprehet kreu i VV-së.
Ndërkohë, exit-pollet tregojnë se Vetëvendosje ka humbur komunën e Mitrovicës përballë Arian Tahirit dhe po shkon në balotazh në Prishtinë, me Hajrulla Ccekun përballë Përparim Ramës së LDK-së. (A2 Televizion)