Rey Manaj është kthyer në heroin e momentit për të gjithë shqiptarët pas golit vendimtar që shënoi për Shqipërinë në fitoren 0-1 ndaj Serbisë në ndeshjen e zhvilluar në Leskovc. Falë këtij triumfi të rëndësishëm, ku protagonist ishte sulmuesi lushnjar, Kombëtarja shqiptare është shumë pranë sigurimit të një vendi në fazën "Play-Off" për Kupën e Botës.
Përjetimet emocionale pas fitores duket se kanë kaluar edhe përtej futbollit. Një ngjarje interesante ka ndodhur në Komunën e Rahovecit, ku një qytetar nga fshati Ratkoc ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shprehur admirimin ndaj Manajt.
Gjatë procesit të votimit për zgjedhjet lokale, ai i ka vënë shenjë 'X' të gjithë kandidatëve për kryetar komune, ndërsa në fletëvotim ka shkruar emrin e Rey Manajt, duke e "votuar" sulmuesin si shenjë dashurie dhe mirënjohjeje për golin ndaj Serbisë.
Edhe pse kjo votë nuk konsiderohet e vlefshme nga ana ligjore, gjesti ka tërhequr vëmendjen dhe ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, duke treguar se sa shumë ka emocionuar Manaj shqiptarët me golin e tij historik. (A2 Televizion)