Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) i është drejtuar Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) me notë proteste, pasi Federata Spanjolle e Futbollit i është referuar Kosovës si “territori i Kosovës”.
Në shkresën drejtuar shefit të UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe të Federatës së Spanjës, Rafael Louzan, FFK-ja i cilësoi si “të papranueshme” veprimet e Federatës spanjolle në komunikimet zyrtare në prag të ndeshjes kualifikuese për Evropianin e ardhshëm për nën 21-vjeçarët.
Spanja iu referua Kosovës si "territor i Kosovës" në paralajmërimin që bëri për ndeshjen e ekipit të kombëtar U21 kundër Kosovës U21, që do të luhet pasdite në stadium "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
“Një qasje e tillë e mohon sovranitetin e Kosovës, e cila është shtet i pavarur dhe i përfaqësuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, anëtare e barabartë dhe e plotë e UEFA-s, ashtu siç është edhe vetë RFEF”, u tha në shkresën e dërguar nga kreu i FFK-së, Agim Ademi.
FFK-ja tha se kjo nuk është hera e parë që përballet me një qasje të tillë nga RFEF-ja “dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme.
“Kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s”, u tha në shkresë.
FFK-ja shtoi se shpreson që do të vazhdojë të trajtohet si anëtare e barabartë e UEFA-s, jo vetëm nga federata evropiane, por nga të gjitha federatat kombëtare.
Shqipëria dhe Serbia janë bashkëorganizatore të Kampionatit Evropian të futbollit për nën 21-vjeçarët që do të mbahet më 2027.
Kosova dhe Spanja janë pjesë e grupit A kualifikues, së bashku me Finlandën, Rumaninë, Qipron dhe San Marinon.
Kosova e nisi fushatën kualifikuese më 5 shtator me një barazim kundër Rumanisë.
Edhe më 2021, në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2022, Kosova kishte luajtur kundër Spanjës. Federata spanjolle atëbotë, në paralajmërimin e ndeshjes me Kosovën, i ishte referuar si "terrori i Kosovës".
Spanja është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë që Kosova e ka shpallur më 2008./ REL (A2 Televizion)