Pas çerek shekulli si President, Daniel Levy largohet nga Tottenham

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 20:14 | Futboll

Pas çerek shekulli si President, Daniel Levy largohet nga Tottenham

Me një vendim që ka shokuar botën e futbollit, Daniel Levy ka njoftuar se do të tërhiqet nga posti i Presidentit të klubit të Tottenham, pasi gati një çerek shekulli në krye të klubit nga Londra.

"Jam jashtëzakonisht krenar për punën që kam bërë së bashku me ekipin ekzekutiv dhe të gjithë punonjësit tanë. Ne e kemi kthyer Tottenham në një klub global që garon në nivelin më të lartë. Më shumë se kaq, ne kemi ndërtuar një komunitet. Pata fatin të punoja me disa nga njerëzit më të mëdhenj në këtë sport, nga ekipi në Lilywhite House dhe Hotspur Way deri te të gjithë lojtarët dhe menaxherët gjatë viteve", tha Levy në një deklaratë.

62-vjeçari ishte Presidenti që mbikëqyri transformimin e klubit nga Londra veriore, duke e shndërruar në një ekip pjesëmarrës të rregullt në Ligën e Kampionëve dhe ia dorëzoi klubit stadiumin me vlerë 1 miliard paund.

Klubi sakaq konfirmoi se nuk do të ketë ndryshime në pronësi ose strukturën e aksionarëve, me ENIC Group, në pronësi të biznesmenit britanik Joe Lewis, që do të ruaj aksionet e veta.

Sakaq, Vinai Venkatesham do të udhëheqë Spurs si CEO, me Thomas Frank në krye të ekipit të meshkujve.

Largimi i Levy-t shënon fundin e mbretërimit më të gjatë të çdo Presidenti të Premier League, me izraelitin që mori për herë të parë detyrën në vitin 2001.

Gjatë kësaj kohe, Tottenham është zhvendosur nga errësira e mesit të tabelës në një nga klubet elitare të futbollit anglez, duke u kualifikuar për në Evropë në 18 nga 20 sezonet e fundit dhe duke arritur në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019.

Ai kryesoi rindërtimin e White Hart Lane dhe ndërtimin e stadiumit të teknologjisë së fundit Tottenham Hotspur, i cili u hap në vitin 2019 dhe është bërë një qendër si për futbollin ashtu edhe për ngjarjet e mëdha.

Krahas kësaj, Spurs investoi shumë në një qendër stërvitore në Hotspur Way dhe përmirësuan akademinë e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos