Kosova ka pësuar një humbje të rëndë në duelin e parë të Ligës së Kombeve. “Dardanët” u mposhtën 3-0 nga Rumania në duelin e zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri.
Përveç rezultatit zhgënjyes, edhe paraqitja e Kosovës la për të dëshiruar, që regjistroi vetëm 1 gjuajtje në portë kundrejt 8 të rumunëve, siç raporton A2.
Sfida u zhbllokua në minutën e 40, kur Denis Man gjeti golin e avantazhit, ndërkohë që në pjesën e dytë Rumania shënoi edhe dy herë të tjera me Razvan Marin në minutat 51 dhe 82.
Si të mos mjaftonte kjo, Kosova humbi edhe Mërgim Vojvodën i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 85.
Duelin e radhës Kosova do ta luajë më datën 9 shtator, në transfertë ndaj Qipros, ndërsa Rumania do të presë Lituaninë.
(A2 Televizion)