Dëmtimet, shqetësimi i Sylvinhos: Moment delikat për futbollistët, por është mundësia për të tjerët

Nga A2 CNN
6 Shtator 2024, 17:49 | Futboll

Dëmtimet, shqetësimi i Sylvinhos: Moment delikat për

Trajneri Sylvinho doli në konferencë për shtyp para ndeshjes Ukrainë-Shqipëri, të vlefshme për Nations League, për të komentuar gjendjen e skuadrës kuqezi, të cilës do t’i mungojë për shkak dëmtimi dyshja e qendrës së mbrojtjes së Europianit, Gjimshiti-Ajeti.

“Është moment delikat për futbollistët. Pas një Europiani, me shumë pak pushim, ndodhin dëmtimet. Ka shumë ndeshje, nuk është e lehtë. Shumë prej lojtarëve nuk kanë bërë pushime. Por, është mundësia për lojtarët e tjerë”, tha Sylvinho, siç shkruan A2.

Në lidhje me kundërshtarët, trajneri u shpreh: “Është një grup shumë i vështirë. Ukrainën e kemi parë, trajneri Rebrov është i zoti, kanë lojtarë shumë të mirë në mesfushë, mbrojtje të fortë dhe portier të shkëlqyer. Është ekip i organizuar”.

Sa i përket Uzunit dhe Ismajlit, të cilët nuk luajtën asnjë minutë në Europian, por të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës, Sylvinho theksoi se nuk është i shqetësuar nëse do të jenë apo jo të motivuar për Nations League.

“Kombëtarja është e hapur gjithmonë dhe kushdo që vjen, ka dëshirën dhe motivimin e duhur. Nëse nuk ka dëshirë për të luajtur me fanellën e Kombëtares, nuk vjen fare. Uzuni dhe Ismajli janë shumë të karikuar, nuk kam fare merak”, theksoi Sylvinho.

Kur u pyet nëse do të luajë me skemën 4-2-3-1 apo 4-3-3, Sylvinho u përgjigj: “Ne për 1 vit e gjysmë kemi luajtur me 4-3-3 dhe 4-2-3-1. Ne i përshtatim skemat sipas karakteristikave që kemi te lojtarët. Mund të punojmë edhe me skemën 4-4-2. Uzuni mund të luajë sulmues qendror. Kemi lojtarë të fortë. Duke njohur karakteristikat e lojtarëve mund të përshtatim edhe skemat”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos