Pas Fiorentinës, Lazios dhe Atalantës, Juventus është skuadra e fundit që siguron një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.
Në “Allianz Stadium” nuk kishte histori dhe gjithçka ishte e lehtë për skuadrën e Allegrit që dominoi ndeshjen dhe nuk e vuri për asnjë moment në dyshim fitoren.
“Zonja e Vjetër” mundi 4-0 Frosinonen që edhe pse kishte rastet e saj nuk arriti të finalizojë qoftë dhe golin e nderit. Heroi i ndeshjes ishte Milik që tundi rrjetën 3 herë. Në pjesën e parë, polaku zhbllokoi rezultatin me penallti dhe pak minuta më vonë dyfishoi shifrat pas një asisti nga McKennie.
Në fraksionin e dyte, Milik plotësoi tripletën e tij me 3 gola duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes së miqve. Por spektakli bardhezi nuk u mbyll me kaq. Firmën në këtë takim e la dhe Yildiz, që shënoi një supergol dhe mbylli 90 minuta me rezultatin final 4-0. Në fund, festa ishte e gjitha bardhezi. Në gjysmëfinale, Juventusi do të përballet me Lazion, ndërsa Fiorentina luan me Atalantën. Ndeshjet e para do të luhen në datën 3 prill. (A2 Televizion)