Statistikat e ndeshjes, dominim i Kombëtares, 0 goditje në portën kuqezi

Nga A2 CNN
25 Mars 2025, 17:03 | Futboll

Statistikat e ndeshjes, dominim i Kombëtares, 0 goditje në portën

Shqipëria ishte skuadra më e mirë në fushë në Arenën Kombëtare dhe këtë nuk e tregoi vetëm fitorja 3-0. Edhe pse rezultati mund të ishte më i thellë, apo në disa raste ritmi i lojës u zbeh, djemtë kuqezi realizuan një ndeshje thuajse perfekte.

Kjo konfirmohet nga statistikat. Dominimi dukej në mbajtjen e topit, që ishte në 85% të kohës në kontrollin e Shqipërisë. Për Andorrën mbrëmja në Tiranë ishte për tu harruar, pasi i ktheu 16 vjet mbrapa në kohë.

Në fakt, ata regjistruan zero tentativa dhe zero goditje në portën kuqezi. Për herë të fundit, këto statistika i kishin regjistruar në vitin 2009, në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës kundër Ukrainës.

Tejet e madhe edhe diferenca e pasimeve në fushë, me Shqipërinë që realizoi 888 pasime të sakta nga 956 të tilla, ndërsa iberikët vetëm 116 nga 160 pasime të sakta.

Ekipi i Sylvinho-s e realizoi me sukses detyrën. Përballë Andorrës, Kombëtarja zbriti në fushë si ekipi më i mirë dhe kishte detyrën të konfirmohej më e fort edhe gjatë ndeshjes.

Edhe pse përballë ishte një rival modest, i pozicionuar në vendin e 171 të renditjes së FIFA-s, tri pikët e marra kanë shumë rëndësi në garën për vendin e dytë në Grupin K dhe mundësinë për të luajtur në play-off të Botërorit 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos