Kupa e Mbretit, Reali me një këmbë në finale

Nga Erald Kodhelaj
27 Shkurt 2025, 12:20 | Futboll

Kupa e Mbretit, Reali me një këmbë në finale

Realit të Madridit i mjaftoi një shkëndijë e Endrick, për të fituar 1-0 në fushën e Real Sociedad, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit.

Skuadra e Ancelottit rrezikoi në fillimin e ndeshjes, por në të 19-tën vendosi në kasafortë suksesin me goditjen plot klas të talentit brazilian, i cili dërgoi në rrjetë një top perfekt të Bellingham.

Një perlë e vërtetë, përballë të cilës nuk shërbeu as reagimi i vendasve, që provuan me çdo kusht të evitonin humbjen. Reali u rreshtua mjaft mirë në mbrojtje të rezultatit, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh, shkruan A2.

Edhe në fraksionin e dytë të lojës, Real Sociedad vijoi sulmet, por baskët u përballën me dy protagonistë absolutë në radhët e Los Blancos. Tchouameni ishte praktikisht perfekt në mbylljen e hapësirave, ndërsa rastet e krijuara nga Oyarzabal me shokë u neutralizuan nga portieri Lunin.

Madrilenët e administruan mjaft mirë lojën në minutat e fundit, duke vendosur një këmbë në finalen e Kupës së Mbretit. Formaliteti synohet të përfundojë në gjysmëfinalen e kthimit në Bernabeu, të përcaktuar në datën 1 prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos