Kupa e Shqipërisë kthehet në fushë për të përcaktuar skuadrat gjysmëfinaliste. Partizani dhe Vllaznia janë ekipet e para të angazhuara në çerekfinalet e kthimit, përkatësisht ndaj Laçit dhe Elbasanit. Me Arbër Abilaliajn të rikthyer në stol, të kuqtë kërkojnë të ndryshojnë sezonin dhe nisen nga barazimi pa gola në Laç.
Test i vështirë edhe për Vllazninë, që ndeshet me Elbasanin e shndërruar në “mace të zezë”. Në katër përballje mes Superiores dhe Kupës, shkodranët kanë fituar vetëm një herë. Dueli i parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa të premten e kaluar ekipet barazuan 1-1 edhe në kampionat.
“Është një sfidë e madhe. Në ndeshjet me eliminim direkt kalon turin ai që fiton. Objektivi është të fitojmë, edhe duke shfrytëzuar faktin që luajmë në shtëpi. Nuk do të ndërrojmë stilin e lojës, pavarësisht barazimit të fundjavës me Elbasanin. Krijuam raste dhe shënuam një herë, edhe pse na vret ende penalltia e humbur. Gjithsesi Balaj shënoi dhe na shpëtoi një pikë. Duhet t’i shtyjmë lojtarët drejt arritjes së rezultatit të duhur, shpresojmë të festojmë së bashku me tifozët”, shprehet Brdariç.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë do të vijojnë të mërkurën me sfidat Egnatia-Bylis dhe Skënderbeu-Dinamo. (A2 Televizion)
Kupa e Shqipërisë, Laçi sfidon Partizanin, Elbasani “macja e zezë” e Vllaznisë
