Kylian Mbappé hedh në gjyq PSG-në për “ngacmim moral”

Nga A2 CNN
27 Qershor 2025, 10:36 | Futboll

Kylian Mbappé hedh në gjyq PSG-në për “ngacmim

Kylian Mbappé ka paditur ish-klubin e tij Paris Saint-Germain (PSG), duke e akuzuar për ngacmim moral dhe kërkon nga klubi pagesa të prapambetura në vlerën e 55 milionë eurove. Lajmi u konfirmua të enjten nga zyra e prokurorisë së Parisit, shkruan A2 CNN, duke i dhënë një tjetër dimension marrëdhënieve tashmë të tensionuara mes sulmuesit francez dhe PSG-së.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga avokatët e Mbappé-së, ylli i Real Madrid ka denoncuar praktikën e njohur në Francë si “lofting”, një formë izolimi e përdorur ndaj lojtarëve për arsye sportive, administrative apo disiplinore. Mbappé pretendon se gjatë verës së vitit 2023 u përjashtua nga skuadra kryesore dhe u detyrua të stërvitej me lojtarët rezervë, si formë presioni për ta shtyrë të rinovonte kontratën.

Pas një karriere shtatëvjeçare te PSG, gjatë së cilës u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 256 gola, Mbappé u transferua te Real Madrid verën e kaluar si lojtar i lirë. Ironikisht, PSG arriti të fitonte Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori, pikërisht sezonin kur Mbappé ishte larguar.

Marrëdhënia mes kapitenit të Francës dhe PSG-së u përkeqësua ndjeshëm gjatë sezonit të kaluar. Në ndeshjen e tij të fundit në "Parc des Princes", një pjesë e tifozëve e fishkëllyen, ndërsa klubi ndihej i tradhtuar pasi në vitin 2022 i kishte ofruar kontratën më të pasur në historinë e tij. Në atë kohë, Mbappé u paraqit para tifozëve me një fanellë me numrin "2025", megjithëse kontrata ishte e vlefshme vetëm deri në vitin 2024, me një opsion shtesë për një vit tjetër që do të vendosej nga vetë lojtari.

Në qershor të vitit 2023, Mbappé njoftoi klubin se nuk do ta aktivizonte opsionin për vitin shtesë, duke e vendosur PSG-në në një pozitë të vështirë: ta shiste menjëherë ose ta humbiste me parametra zero në fund të kontratës. Si pasojë, sulmuesi nuk u përfshi në turneun parasezonal në Japoni dhe Korenë e Jugut dhe u la jashtë ndeshjes hapëse të kampionatit. Ndërkohë, ai refuzoi një ofertë prej 300 milionë eurosh nga skuadra saudite Al-Hilal.

Pas disa bisedimeve, Mbappé u rikthye në formacion, por tensionet nuk u shuan. Në prill të këtij viti, ekipi i tij ligjor paralajmëroi nisjen e një procedure ligjore kundër PSG-së për trajtimin që i ishte bërë gjatë verës së kaluar.

Padia për ngacmim moral dhe kërkesa për 55 milionë euro sinjalizojnë një përballje të ashpër ligjore mes Mbappé-së dhe klubit parisien, një epilog i hidhur për një marrëdhënie që dikur ishte simboli i një epoke të re për PSG-në. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos