Legjenda e Leicester “ringjallet” në Serie A

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2025, 23:31 | Futboll

Legjenda e Leicester “ringjallet” në Serie A

Cremonese ka marrë një fitore madhore dhe krejtësisht të papritur, duke mposhtur 3-1 Bolognan në transfertë dhe duke i dhënë fund serisë prej 12 ndeshjesh pa humbje të vendasve. Skuadra mike, që kishte vetëm një triumf që nga gushti, përfitoi maksimalisht nga pasaktësitë në mbrojtjen e vendasve dhe nga një Jamie Vardy në super formë.

Bologna nisi vrullshëm sfidën, me Riccardo Orsolinin që goditi shtyllën që në minutat e para dhe Benjamín Domínguezin që testoi portierin Emil Audero. Megjithatë, Cremonese paralajmëroi rrezikun me një rast të Vardy, para se Martín Payero të zhbllokonte rezultatin pas një topi të gjatë nga Bianchetti. Vetëm pesë minuta më vonë, Vardy dyfishoi shifrat me një diagonale precize, duke shokuar stadiumin, shkruan A2 CNN.

Në fund të pjesës së parë, Orsolini riktheu shpresat me një penallti të realizuar fuqishëm, por Bologna nuk arriti të ndërtojë mbi atë moment pozitiv. Vetëm pesë minuta pas pushimit, Barbieri shërbeu një top perfekt dhe Vardy shënoi golin e tretë personal për Cremonesen.

Presioni final i Bolognas, goditjet në traversë dhe rastet e humbura nuk ndryshuan asgjë. Cremonese mbrojti me gjakftohtësi dhe mori fitoren e parë ndaj Bolognas që nga viti 1990, duke shkaktuar një nga surprizat më të mëdha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos