
Bjellorusia ka liruar 123 të burgosur politikë, mes tyre aktivisten e njohur të opozitës Maria Kolesnikova dhe fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, pas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë pranuar të heqin një pjesë të sanksioneve ndaj këtij vendi.
Vendimi erdhi pas bisedimeve në Minsk me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për Bjellorusinë, John Coale, shkruan A2 CNN. Si pjesë e marrëveshjes, SHBA ka hequr sanksionet ndaj potasit, një produkt kyç për industrinë e plehrave kimike dhe një nga eksportet kryesore të Bjellorusisë.
Maria Kolesnikova, e arrestuar në vitin 2020 pas protestave masive kundër presidentit Alexander Lukashenko, kishte kaluar vite në burg, shpesh në izolim. Motra e saj konfirmoi lirimin dhe tha se Kolesnikova ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo dhe 113 të burgosur të tjerë u transferuan në Ukrainë dhe më pas pritet të dërgohen në Poloni dhe Lituani.
Ky zhvillim konsiderohet një sukses diplomatik për Lukashenkon, i cili prej vitesh nuk njihet si president legjitim nga BE dhe SHBA. Megjithatë, ky ndryshim i politikës amerikane ka krijuar mospërputhje me qëndrimin e Europës, e cila vazhdon të mbështesë izolimin dhe sanksionet ndaj regjimit bjellorus. (A2 Televizion)